DJ Gimbo ndan vështirësitë e karrierës: Mungesë mbështetjeje financiare dhe morale
DJ Gimbo ka rrëfyer pengesat e shumta me të cilat është përballur në rrugëtimin e tij profesional. Gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ai theksoi mungesën e mbështetjes financiare dhe asaj morale, megjithatë, nuk është dorëzuar asnjëherë.
I pyetur nga moderatorja Orinda Huta se çfarë e motivoi të vazhdonte, artisti u shpreh se pikërisht lotët dhe sfidat e kanë bërë më të fortë. Gimbo shfrytëzoi rastin të përcjellë një mesazh inkurajues për të gjithë të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre. Ai tregoi se momenti kulmor kur e kuptoi se ia kishte dalë, ishte kur pa nënën e tij të lumtur dhe krenare për arritjet e tij.
DJ Gimbo deklaroi: “Ka qenë shumë e vështirë, sepse përveç përkrahjes financiare, që nuk e kam pasur kurrë prej askujt, kam pasur edhe përkrahjen morale shumë të pakët dhe nuk jam dorëzuar kurrë.”
Më tej, ai shpjegoi se forca për të mos u dorëzuar vinte nga lotët. “Lotët nuk të lënë të dorëzohesh. Lotët e bëjnë njeriun më të fortë. Nuk ka sukses pa vuajtur, nuk ka sukses pa hequr, themi ne. S’mundesh ti të jesh lart pa e ditur se çfarë është poshtë,” theksoi ai.
Artisti iu drejtua me një thirrje të gjithë të rinjve që kanë një ëndërr: “Kurrë mos u ndalni prej askujt, realizoni qëllimin tuaj, gjithçkaje ia dilni.”
Për momentin kur ndjeu se po ia dilte, DJ Gimbo rrëfeu: “Kur e pashë nënën time që buzëqeshte. E pashë që ajo ishte krenare me atë që po bëja unë. Aty e pashë që ia kisha arritur.”
