**Reshjet e borës vështirësojnë qarkullimin në Kosovë, disa akse rrugore mbeten të papastruara**
Reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa zona të Kosovës, duke lënë të papastruara disa akse kryesore.
Sipas pamjeve të siguruara nga lexues të IndeksOnline, autostrada “Ibrahim Rugova”, magjistralja Prishtinë–Pejë dhe rruga Prishtinë–Mitrovicë ishin ndër ato që nuk ishin pastruar nga bora.
Vështirësi në qarkullim u raportuan gjithashtu në aksin Mleqan–Pejë. Ndërkohë, situata ishte më e lehtë në rrugën nga Prishtina deri në hyrjen e autostradës “Ibrahim Rugova”.
Edhe rruga Komoran–Carralevë rezultoi e papastruar, megjithatë u raportua si e kalueshme.
Këto reshje kanë krijuar sfida të konsiderueshme për drejtuesit e automjeteve në disa segmente rrugore kryesore të vendit.
