Jude Bellingham ka pranuar se e zhgënjeu Real Madridin me përjashtimin e tij në minutat e fundit të humbjes 1-2 ndaj Alavesit, por njëkohësisht ka vënë në pikëpyetje vendimin e gjyqtarit për ta ndëshkuar me karton të verdhë për simulim.

Mesfushori anglez reagoi të dielën përmes aplikacionit të tij JB5, një ditë pasi Real Madridit iu ndërpre seria e fitoreve në “Santiago Bernabeu”.

Bellingham kërkoi falje ndaj bashkëlojtarëve, por edhe mbrojti versionin e tij për rastin e diskutueshëm të penalltisë.

Ai u përjashtua në minutën e 88-të, pasi gjyqtari Cesar Soto Grado anuloi penalltinë e akorduar fillimisht për të, pas një rishikimi të pamjeve në VAR. Pas këtij vendimi, Bellingham u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim.

Anglezi beson se një kënd tjetër i kamerave mund të kishte ndikuar në vendimin e gjyqtarit.

“Sa i përket atij momenti, jam 100 për qind i sigurt se pati kontakt në gjurin dhe kofshën time. Sipas mendimit tim, pamjet nga prapa e dëshmojnë këtë. Nuk e kuptoj pse ai kënd i kamerave nuk iu shfaq gjyqtarit.

Ndoshta ai përsëri do të vendoste se kontakti nuk ishte i mjaftueshëm për penallti, dhe kjo do të ishte e pranueshme, por vështirë se do të më ndëshkonte me kartonin e dytë të verdhë për simulim”, deklaroi Bellingham.

Megjithëse e kundërshtoi vendimin, mesfushori nuk tentoi t’ia hedhë përgjegjësinë dikujt tjetër për humbjen.

“Thjesht desha ta ndaj këndvështrimin tim, pa fajësuar askënd dhe pa krijuar polemika. E marr përgjegjësinë e plotë që e vendosa veten në dy situata të panevojshme, të cilat përfunduan me karton të kuq.

Ka ende shumë pikë për të luftuar në La Liga dhe jam i bindur se skuadra do të rikthehet në rrugën e duhur”, shtoi ai.

Në fund, Bellingham shprehu keqardhje për rezultatin, duke pranuar se përjashtimi i tij ia vështirësoi Real Madridit mundësinë për të kërkuar përmbysjen.

“Jam shumë i zhgënjyer me rezultatin e djeshëm. Ndjej se me përjashtimin tim ia mora skuadrës mundësinë për të luftuar siç duhet për përmbysjen”, përfundoi anglezi./GazetaExpress/