Liverpoolit i është ndërprerë seria prej katër fitoreve radhazi si mysafir në Premierligë, pasi barazoi 1-1 me Evertonin në derbin e Merseyside, ndonëse kaloi i pari në epërsi.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Evertoni rrezikoi të shënonte që në minutat e para, por portieri Alisson reagoi mirë ndaj goditjes së James Garnerit.
Liverpooli kaloi në epërsi në minutën e pestë.
Pas një topi të dërguar në zonë, mbrojtja e Evertonit nuk arriti ta largonte siç duhet, ndërsa Dominik Szoboszlai përfitoi nga rasti dhe shënoi me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të portës së Jordan Pickfordit.
Megjithatë, Evertoni arriti ta barazonte rezultatin në pjesën e parë. Një harkim i rrezikshëm i Kiernan Deësbury-Hallit u devijua gabimisht në portën e tij nga Jeremie Frimpong, duke i dhënë fund epërsisë së Liverpoolit.
Në pjesën e dytë, Liverpooli pati mundësi të rikthehej në epërsi, por Virgil van Dijk nuk arriti ta shfrytëzonte një rast të mirë me kokë.
Në anën tjetër, Evertoni ishte pranë përmbysjes, por goditjet e Deësbury-Hallit u ndalën nga mbrojtja e Liverpoolit.
Të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores në minutat e fundit, por rezultati nuk ndryshoi.
Kështu, derbi i Merseyside përfundoi me rezultat 1-1, ndërsa trajneri i Evertonit, David Moyes, nuk arriti ta përmirësonte bilancin e tij prej vetëm gjashtë fitoreve në 47 përballje si trajner ndaj Liverpoolit.
Liverpooli shkon në 22 pikë, pas këtij barazimi, derisa Evertoni në 17 sosh. Liverpooli është i katërti në tabelë, ndërsa Evertoni është i teti./GazetaExpress/
