Greva e pilotëve të “Lufthansa”-s ka hyrë në ditën e dytë, duke detyruar gjigantin ajror gjerman të anulojë qindra fluturime në qendrat e tij kryesore, Frankfurt dhe Mynih. Kjo situatë ka ndërprerë udhëtimet për mijëra pasagjerë.
Sipas sindikatës së pilotëve “Vereinigung Cockpit” (VC), rreth 550 fluturime u ndikuan në Frankfurt. Në Mynih, qendra e dytë më e madhe e “Lufthansa”-s, u anuluan mbi 300 fluturime, ndërsa në Berlin u anuluan rreth 40 nisje dhe mbërritje.
Greva 48-orëshe, e shpallur nga VC-ja të hënën, buron nga muaj të tërë negociatash të ngecura lidhur me pagat dhe pensionet. Sindikata thekson se “Lufthansa” nuk ka bërë oferta të pranueshme.
Edhe pse greva e pilotëve përfundon në mesnatën e së martës, udhëtarët do të përballen sërish me ndërprerje. Një grevë tjetër, dy-ditore, e personelit të kabinës, është parashikuar të fillojë në orën 00:01 të së mërkurës (22:01 GMT të martën) dhe të zgjasë deri pak para mesnatës së së enjtes.
Organizata e Pavarur e Asistentëve të Fluturimit (UFO) deklaroi se kjo grevë do të ndikojë në të gjitha nisjet kryesore të “Lufthansa”-s nga Frankfurti dhe Mynihu.
