Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një person të dyshuar për veprën penale të vjedhjes, e cila ka ndodhur në Ferizaj.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, dhe me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, personi në fjalë kërkohet pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje”, sipas nenit 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për këtë qëllim, fotografia e të dyshuarit është bërë publike.
Ngjarja specifike për të cilën kërkohet i dyshuari ka ndodhur më 6 janar 2024, brenda një qendre tregtare në Ferizaj.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet ligjzbatuese dhe të ofrojnë çdo informacion të vlefshëm që mund të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e personit në kërkim.
Të gjitha informacionet e ofruara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. Kontaktoni Policinë e Kosovës në adresën elektronike info@kosovopolice.com ose në numrat e telefonit 192 dhe 0800 19999.
