Edita Tahiri rikujton bisedën me gjeneralin Clark: “Do ta mbajmë fjalën”

Edita Tahiri, ish-anëtare e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka theksuar se 24 marsi është një ditë shprese për Kosovën.

Me rastin e 27-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, Tahiri ka rikujtuar një bisedë që pati me gjeneralin Wesley Clark, komandant i atëhershëm i forcave të NATO-s, pak para nisjes së operacionit ajror.

Në një postim në profilin e saj në Facebook, Tahiri shkroi se i kishte kërkuar gjeneralit amerikan që të mbahej fjala e dhënë.

Ajo e ka përshkruar 24 marsin si “Ditën e Shpresës”, duke shtuar: “Sot, 27 vjet më parë, SHBA dhe NATO bombarduan Serbinë, mposhtën Millosheviçin famëkeq dhe i sollën lirinë Kosovës. Atë ditë e quajtëm ‘Dita e Shpresës’ dhe ajo mbetet e tillë në historinë tonë.”

Më tej, Tahiri ka cituar fragmentin e bisedës së saj me gjeneralin Clark, një ditë para bombardimeve: “Një ditë më parë, më 23 mars 1999, kisha zhvilluar një bisedë telefonike me Gjeneralin Clark. I thashë ‘është koha që ta mbani fjalën’, dhe ai m’u përgjigj ‘Do ta mbajmë fjalën’. Dhe ata e mbajtën fjalën, si ai vetë, Presidenti Clinton dhe Madeleine Albright.”

Tahiri ka përmbyllur shkrimin e saj duke theksuar se: “Historinë e Kosovës së lirë e shkruajtëm ne, liderët e asaj kohe, populli i Kosovës, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO.”