PDK nuk e votoi Ligjin për Byronë e Konfiskimit. Çitaku: Një ligj që shkel Kushtetutën s’mund të jetë ligj i vendit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka shpjeguar në emisionin “Pressing” të T7 arsyet pse partia e saj nuk e ka votuar Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Çitaku theksoi se projekligji nuk i ka adresuar të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias.
“Ligji që ka kaluar në Qeveri dhe është sjellë në Kuvend nuk i ka përfshirë të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias,” tha Çitaku. Ajo shtoi se “njëra prej tyre është kompetenca për nxjerrjen e legjislacionit sekondar. Sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, ligji duhet të specifikojë deri në detaje çdo çështje që ndërlidhet me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe nuk mund t’i lihet në dorë një drejtorie të Byrosë që të shkruajë e të hartojë në mënyrë arbitrare aktet nënligjore,” përfundoi ajo.
