Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbledh deputetët për strategjinë e apelimit në Hagë, merr pjesë edhe LDK-ja
Ka nisur takimi i parë i grupit punues, i cili ka për qëllim hartimin dhe bashkërendimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurën e apelimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ky takim po zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, me dyer të mbyllura për publikun dhe mediat. Ai udhëhiqet nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë takim janë deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së saj, Vlora Çitaku; deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu; deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha; si dhe Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky grup punues është themeluar nga Qeveria e Kosovës me mandat të hartojë dhe bashkërendojë strategjinë shtetërore për procedurën e apelimit të aktgjykimit të shkallës së parë, që prek ish-Presidentin Hashim Thaçi, ish-Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, ish-Kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Kryetari Konjufca kishte paralajmëruar më herët se takimi pritet të zgjasë disa orë dhe se angazhimi i këtij grupi punues do të shtrihet gjatë gjithë ditës.
