Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se partia e tij kërkon të ketë të drejtën e propozimit të dy kandidatëve për president të vendit.

Ai ka shtuar se PDK-ja e ka një kërkesë të tillë për shkak të mosbesimit ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Gruda shpjegoi arsyen pse, sipas tij, PDK-ja ngulmon në këtë kërkesë.

“E vërteta është kjo: Pse i duam dy emra? I duam sepse nuk i besojmë Albin Kurtit. Nëse ne propozojmë një emër dhe Lëvizja Vetëvendosje një tjetër, Albin Kurti në votim të fshehtë mund t’u thotë deputetëve të vet: ‘Votoni kandidatin tonë'”, ka argumentuar Gruda.

Deputeti i PDK-së theksoi gjithashtu se takimet dhe dakordimet rreth emrit të kandidatit duhet të përfundojnë para seancës parlamentare dhe të bëhen publike.

“Para seancës, duhet të ketë takime dhe dakordime për emrin e kandidatit. Nuk është Kurti i detyruar të pajtohet patjetër me emrin që ne propozojmë. Mund të refuzojë emra, ose të diskutohet për emra të caktuar”, ka sqaruar Gruda.

Ai ka pohuar se ka pasur tentativa nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të realizuar takime, por që, sipas tij, ato janë kërkuar pa dërguar ftesa zyrtare.

“Ka pasur tendenca sërish për të arritur te takimi, por pa dërguar letër apo ftesa. Fakti që ai i reziston letrës tregon se nuk dëshiron ta bëjë procesin serioz siç e dëshirojmë ne”, ka përfunduar Gruda.