**Komuna e Shtimes ngushëllon familjen pas vdekjes tragjike të Isuf Bislimit në vendin e punës**
Komuna e Shtimes i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Bislimi pas vdekjes së Isuf Bislimit, i cili humbi jetën tragjikisht në vendin e tij të punës.
Kryetari i Komunës, dr. Qemajl Aliu, në emër të institucioneve komunale, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Bislimi për humbjen e familjarit të tyre.
Në telegramin e dërguar theksohet se lajmi për ndarjen nga jeta e Isuf Bislimit është pritur me pikëllim të thellë. Ai përshkruhet si një njeri i ndershëm, i urtë dhe punëtor, i cili ka lënë një trashëgimi të mirë dhe përshtypje pozitive tek të gjithë ata që e kanë njohur.
Sipas njoftimit nga komuna, i ndjeri shquhej për qetësinë, maturinë dhe respektin ndaj të tjerëve, duke shërbyer si një shembull i qytetarit model me vlera të larta njerëzore.
“Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjen dhe u qëndrojmë pranë me mendje e zemër”, citohet në mesazhin e ngushëllimit. Njëkohësisht, ngushëllime u janë shprehur familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur të ndjerin.
