Grabitje dramatike në Napoli: Pengmarrje në bankë dhe arratisje misterioze përmes tunelit
Një grabitje e guximshme dhe spektakolare tronditi Napolin, Itali, ku grabitës të armatosur sulmuan një bankë, morën peng dhjetëra persona, përpara se të arratiseshin pa lënë gjurmë përmes një tuneli të fshehur.
Ngjarja ndodhi në një degë të bankës Crédit Agricole, në zonën e Arenella, Piazza Medaglie d’Oro. Rreth orës 12:00, një grup prej të paktën pesë personash të maskuar u futën me forcë në bankë. Sipas dëshmitarëve, autorët përdorën një automjet për të thyer xhamin e hyrjes dhe mbanin maska që paraqisnin aktorë të njohur amerikanë.
Një kalimtar i rastësishëm, duke vënë re lëvizjet e dyshimta, njoftoi menjëherë policinë, duke shkaktuar një operacion masiv të forcave të rendit. Brenda pak minutash, zona u rrethua nga karabinierët dhe zjarrfikësit.
Forcat speciale ndërhynë, duke hapur një hyrje të re në bankë me ndihmën e një arieteje. Më pas nisi një negociatë e tensionuar me grabitësit, të cilët mbanin peng të paktën 25 persona, mes tyre klientë dhe punonjës të bankës. Rreth orës 15:00, të gjithë pengjet u liruan shëndoshë e mirë.
Gjashtë persona, mes tyre punonjës dhe klientë, morën ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Në vendngjarje mbërriti edhe prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, për të ndjekur nga afër zhvillimet.
Megjithatë, ndërsa forcat speciale të njësisë elitare GIS po përgatiteshin për të hyrë plotësisht në bankë, grabitësit kishin arritur të zhdukeshin. Sipas hetimeve paraprake, ata kishin zbrazur kasafortat dhe më pas ishin arratisur përmes një tuneli të hapur më parë. Dyshohet se ky kanal arratisjeje lidhej me rrjetin e kanalizimeve, duke u dhënë mundësinë autorëve të largoheshin pa u vënë re, ndoshta deri në zonën e metrosë.
