Ministri i Jashtëm belg përmbledh vizitën në Kosovë, thekson dialogun me Serbinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prevot, ka përmbledhur dje vizitën e tij në Kosovë, duke theksuar diskutimet për dialogun me Serbinë dhe sfidat e brendshme të vendit. Përmbledhjen e vizitës së tij të së enjtes, kryediplomati belg e ndau në një postim në platformën X.

Prevot shprehu kënaqësinë që po vizitonte Kosovën si ministër i jashtëm, ndryshe nga hera e fundit kur kishte qenë si kryetar bashkie i Namurit për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Ai theksoi se kishte zhvilluar diskutime të frytshme me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Vizita ime dëshmon angazhimin konkret të Belgjikës në dhe për Kosovën, duke përfshirë kontributin tonë në siguri përmes KFOR-it – të cilin e vizitova dhe i ripërsërita mbështetjen tonë – dhe nëpërmjet projekteve të kryera në kuadër të Këshillit të Evropës”, shkroi ai.

Kryediplomati belg përmendi edhe bashkëpunimin në fushën e kapaciteteve të burgjeve, pasi vendi i tij kishte shprehur interesim për të shfrytëzuar institucione korrektuese në Kosovë. Ky interesim, i shfaqur vitin e kaluar, vjen pas marrëveshjes së Kosovës me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të Burgut të Gjilanit për të strehuar të burgosur danezë.

“Belgjika mbetet e përkushtuar për të forcuar dialogun politik dypalësh dhe për të thelluar bashkëpunimin policor dhe atë të migracionit, si dhe bashkëpunimin në fushën e kapacitetit të burgjeve”, shtoi Prevot.

Lidhur me situatën aktuale politike, ai inkurajoi Kosovën të gjejë një zgjidhje për bllokimin institucional dhe të punojë drejt një stabilizimi të shpejtë të gjendjes së brendshme, me fokus të vazhdueshëm në uljen e tensioneve, veçanërisht në veri.

“Rruga evropiane e Kosovës meriton vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme. Ajo duhet të mbështetet nga një progres i besueshëm. I përgëzoj përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim. Këto përpjekje tani duhet të njihen edhe nga BE-ja në tërësi. Belgjika do të jetë një avokate e fortë për këtë qëllim”, shkroi Prevot.

Megjithatë, ai vuri në dukje se kjo rrugë evropiane duhet të ecë paralelisht me një riangazhim në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe me përparim të prekshëm në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

“Kjo është thelbësore për stabilitetin rajonal”, theksoi ministri.

Në përfundim, Prevot tha: “Shkurt: Belgjika është dhe do të mbetet një mbështetëse e vazhdueshme e perspektivës evropiane të Kosovës. Mbështetuni në angazhimin e Belgjikës!”