**Inspektorati i Punës ndalon punën në 34 subjekte brenda 48 orëve**
Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka ndërmarrë një fushatë të gjerë inspektimesh në të gjithë territorin e Kosovës, duke u fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë. Ky aksion, i realizuar në zbatim të vendimit të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve dhe në përputhje me mandatin ligjor, synon rritjen e sigurisë dhe respektimin e ligjit në vendet e punës, shkruan IndeksOnline.
Gjatë 48 orëve të fundit, IQP ka kryer gjithsej 72 inspektime. Si rezultat, është urdhëruar ndalimi i punës në 34 subjekte, ndërsa në 2 raste është lejuar vazhdimi i saj pas konstatimit të rregullsive. Përveç kësaj, janë lëshuar 22 vërejtje dhe 16 subjekte janë gjetur plotësisht në rregull.
Inspektimet janë kryer në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Lipjan. Të dhënat janë bërë publike nga Inspektorati Qendror i Punës.
