**Pastrim i Gjerë në Ministrinë Ruse të Mbrojtjes: Hetimet për Korrupsion Thellohen**

Gjatë dy viteve të fundit, komanda ushtarake ruse është përballur me sfida të rënda dhe zhvillime shqetësuese. Që nga maji i vitit 2024, Ministria Ruse e Mbrojtjes është bërë qendra e një serie hetimesh penale, shkarkimesh nga detyra, rrjedhjesh informacioni komprometues dhe zbulimesh të turpshme.

Hetuesit – kryesisht nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – së bashku me prokurorët dhe autoritetet e Ministrisë së Brendshme, kanë vënë në shënjestër një numër në rritje të zëvendësministrave të mbrojtjes, oficerëve të lartë dhe zyrtarëve civilë. Ata dyshohen, ndër të tjera, për korrupsion, mashtrim dhe përvetësim fondesh.

Këto hetime, të cilat kanë prekur një numër në rritje të zëvendësministrave të Mbrojtjes dhe oficerëve të lartë nën dyshime korrupsioni, janë shpesh të lidhura me ndërtimin e një parku ushtarak në zonën e Moskës. Në shënjestër janë vënë ish-bashkëpunëtorë të Sergei Shoigut, i cili u largua nga posti i ministrit të Mbrojtjes në vitin 2024.

Më 10 prill, një gjykatë ushtarake në Moskë dënoi zëvendësministrin e Mbrojtjes, Pavel Popov, me 19 vjet burgim për akuza të përvetësimit të fondeve dhe ryshfetit. Ashtu si Popov, shumica e zyrtarëve të shënjestruar janë bashkëpunëtorë prej kohësh të Sergei Shoigut. Putini e largoi Shoigun nga posti i ministrit të Mbrojtjes në maj 2024, në kuadër të një riorganizimi më të gjerë qeveritar. Shoigu, i cili ka një njohje dhjetëra vjeçare me Putinin, u emërua më pas shef i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ndërsa në ministri u zëvendësua nga Andrei Belousov, një teknokrat dhe ekonomist.

Shumë nga zëvendësministrat e mbrojtjes të vënë në shënjestër u shkarkuan menjëherë pas largimit të Shoigut. Disa prej tyre lidhen me një kontraktor të madh të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili mbikëqyri ndërtimin e një parku me tematikë ushtarake në Moskë, të quajtur “Parku Patriot”. Kjo kompani, e njohur si Bamstroyput, kishte qenë një nënkontraktor i madh i Ministrisë për Situata Emergjente, ministri të cilën Shoigu e drejtoi për 21 vjet, përpara se Putini ta vendoste në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2012.

Ekzistojnë shumë spekulime se çfarë dhe kush fshihet pas këtyre hetimeve dhe pastrimit të gjerë. Një shpjegim lidhet me zhvillimin e luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, e cila shpejt nxori në pah, sipas ekspertëve, probleme në strukturën komanduese, doktrinën e vjetruar dhe korrupsionin e përhapur, si në shkallë të vogël ashtu edhe në të madhe, brenda ushtrisë ruse dhe sektorëve civilë. Shumica e kritikave për dështimet e ushtrisë ruse në Ukrainë u drejtuan kundrejt Shoigut, si dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit Valery Gerasimov, komandantit më të lartë ushtarak të Rusisë.

“Përshtypja ime është se këto spastrime rrjedhin nga rivalitetet brenda elitës dhe ndërmjet shërbimeve,” tha John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, një institut kërkimor me qendër në Uashington. “Shoigu kishte kritikuar industrinë e mbrojtjes për furnizimet e pamjaftueshme për ushtrinë. Edhe pse ajo mban një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë për dështimin e fazës fillestare të pushtimit, FSB-ja duket se ka arritur të zhvendosë përgjegjësinë te Ministria e Mbrojtjes,” shtoi ai.

Ndër kritikët më të ashpër të Shoigut ishte Yevgeny Prigozhin, një biznesmen nga Shën Petersburgu, i cili krijoi një forcë të fuqishme mercenarësh privatë, Grupi Wagner, që u bë një nga njësitë ruse më efektive në luftimet në Ukrainë. Dy muaj pasi Prigozhin organizoi një kryengritje të dështuar në qershor 2023, ai gjeti vdekjen në një rrëzim aeroplani, ngjarje kjo që besohet gjerësisht të ketë qenë një atentat.

Rivalët, ose armiqtë e Shoigut, mund të kenë zgjedhur të theksojnë korrupsionin brenda ministrisë nën drejtimin e tij si diçka që tejkalonte normat, tha Hardie. “Këto argumente mund të kenë gjetur jehonë në Kremlin, i cili duket se është i ndjeshëm ndaj faktit se shpenzimet ushtarake po konsumojnë burime të mëdha,” u shpreh ai. “Prandaj u vendos të bëhej një shfaqje publike e arrestimeve për korrupsion dhe të emërohej Belousov, teknokrat dhe ekonomist, me detyrën për të siguruar shpenzime efikase në fushën e mbrojtjes.”/REL/