**Haxhiu: Nderojmë veprën e Zahir Pajazitit, dëshmorët ngritën lart shpresën për liri**

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar figurën e dëshmorit Zahir Pajaziti, duke vlerësuar lart jetën dhe veprën e tij.

Në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, Haxhiu theksoi se me respekt të thellë nderohet dhe vlerësohet çdo dëshmor i kombit.

Duke folur para mediave te shtatorja e Zahir Pajazitit, ajo tha: “Zahir Pajaziti me shokë ishin ndër të parët që i dhanë kuptim rezistencës së organizuar kundër regjimit të kohës, duke shërbyer si shembull i guximit dhe vendosmërisë në rrethana tejet të vështira për vendin tonë.”

Haxhiu vuri në pah se kontributi i tyre nuk ishte vetëm gueril apo ushtarak, por edhe moral, pasi ata ngritën lart shpresën se Kosova mund të fitonte lirinë, të çlirohej dhe të bëhej e pavarur. Ata shërbyen gjithashtu si frymëzim për shumë të rinj e të reja që t’u bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot, ne nderojmë jetën dhe veprën e heroit tonë Zahir Pajaziti, si dhe të gjithë dëshmorëve të Prishtinës e të kombit,” u shpreh ajo. Haxhiu theksoi rëndësinë që institucionet e Republikës së Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi të mos e harrojnë kurrë kontributin e tyre, sepse, siç u shpreh ajo, ishte pikërisht falë kontributit të tyre që ne sot jetojmë në një shtet të lirë dhe të pavarur.