**Liço: S’ka si të mungojnë emocionet në finalen e “Big Brother VIP”, vitin tjetër do të jem pjesë**
Ledion Liço, moderatori i “Big Brother VIP” dhe njëkohësisht drejtor i Top Albania Radio, ka folur ekskluzivisht në emisionin “Goca dhe Gra” për emocionet e finales së edicionit të pestë të programit.
Ai ndau disa çaste kyçe nga rrugëtimi i “Big Brother VIP 5”, duke u ndalur te momentet e vështira dhe ato prekëse.
Liço premtoi një mbrëmje finale plot emocion dhe surpriza, si dhe zbuloi nëse do të vazhdojë të drejtojë programin më të ndjekur në Shqipëri edhe vitin e ardhshëm.
“Finalet e ‘Big Brother’ janë një gërshetim i vazhdueshëm mes spektaklit dhe emocioneve,” u shpreh Liço. “Është e pamundur të mos ketë spektakël, sepse është finale, por gjithashtu është e pamundur të mungojë kulmi emocional pas gjithë këtyre muajve, të historive që banorët kanë ndarë aty brenda, qoftë ato që lidhen me rrugëtimin brenda shtëpisë, qoftë ato që kanë të bëjnë me jetën e tyre jashtë.”
Ai shtoi se ky edicion i ‘Big Brother’, “falë Zotit dhe punës së gjithë stafit, ka qenë i balancuar në çdo aspekt. Ka pasur çdo gjë që duhet të ketë një ‘Big Brother’ dhe, pavarësisht se është edicioni i pestë, ka dhuruar po aq lojë sa edhe ndjenja.”
“Ndër momentet kyçe të këtij edicioni, si dalja e Rogertit apo deklarata e nënës së Selit, kanë qenë çaste delikate që duhej të menaxhoheshin drejtpërdrejt,” shpjegoi ai. “Në ‘Big Brother’ në përgjithësi unë mbaj qëndrime bazuar te bindjet e mia, jo thjesht për hir të spektaklit. Publiku duhet ta kuptojë qartë se kjo për mua është punë, jo jeta ime.”
Liço përmendi gjithashtu: “Një tjetër moment, jo i lidhur me lojën por me emocionet, ishte takimi i Malit me të atin. Ishte një çast i vështirë për t’u menaxhuar drejtësisht për të gjitha palët.”
“Mua gjithmonë do të më pëlqente një fitues që lë një përshtypje të mirë, që synon ta ndryshojë botën për mirë. ‘Big Brother’ përfaqëson një segment të madh të shoqërisë. Mendoj se shoqëria shqiptare sot është në një udhëkryq të madh dhe kemi humbur disa nga vlerat tona themelore, të cilave duhet t’u rikthehemi. Ka nevojë kryesisht për më shumë dashuri,” theksoi Liço, duke shtuar: “Po, do të jem vitin e ardhshëm, shihemi!”
