Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” (KRU Prishtina) ka njoftuar për ndërprerje dhe reduktime në furnizimin me ujë në disa zona të Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Lagjes Kalabria të Prishtinës. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e dëmtimit të gypit kryesor furnizues në Shkabaj, dëmtim i shkaktuar nga një rrëshqitje dheu.

Sipas njoftimit të KRU Prishtina, reduktimet në furnizim do të zgjasin nga ora 12:00 deri në orën 17:00. Ndikime në furnizimin me ujë mund të ketë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

Ekipet teknike të Kompanisë së Ujësjellësit janë tashmë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e defektit. KRU Prishtina ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve për situatën e krijuar dhe angazhimin maksimal për rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit.