Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Iranin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, pas incidenteve të fundit në Ngushticën e Hormuzit, ku sipas tij, forcat iraniane kanë qëlluar drejt anijeve.

Në një reagim të publikuar në platformën e tij sociale, Truth Social, Trump deklaroi se Teherani “hapi zjarr dje”, duke e cilësuar këtë akt si një shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes mes palëve. Ai theksoi se të shtënat ishin drejtuar kundër një anijeje franceze dhe një anijeje tregtare nga Mbretëria e Bashkuar. Presidenti amerikan e përshkroi incidentin si “jo të këndshëm”, duke ironizuar situatën.

Më tej, Trump e konsideroi “të çuditshëm” vendimin e Iranit për të mbyllur ngushticën, duke argumentuar se bllokada amerikane e kishte bërë tashmë të pamundur kalimin detar. Ai shtoi se Irani po humbet deri në 500 milionë dollarë në ditë nga kjo situatë, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk po pësojnë asnjë dëm.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë akuzat. Ato pretendojnë se janë vetë Shtetet e Bashkuara ato që kanë shkelur kushtet e armëpushimit, përmes vendosjes së një bllokade detare ndaj porteve iraniane.