Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë, në 26-vjetorin e ngjarjeve të 19 prillit 1999.

Kurti ka bërë homazhe në Hallaq të Vogël dhe Rufc të Ri të Lipjanit, ku forcat e armatosura serbe vranë 20 civilë të pafajshëm, të cilët më pas u varrosën në një varrezë masive.

Ai ka kujtuar gjithashtu edhe grupin e intelektualëve të Mitrovicës, duke theksuar se 23 mjekë, profesorë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut u rrëmbyen dhe u zhdukën në Dreth të Zubin Potokut nga forcat serbe gjatë luftës.

“Në Hallaq të Vogël e Rufc të Ri të Lipjanit, bëmë homazhe në nderim të të vrarëve më 19 prill 1999. Atë ditë, forcat e armatosura të Serbisë vranë 20 civilë të pafajshëm. Ata u ndanë nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan. Më pas, të gjithë u varrosën në një varrezë masive. Në këtë ditë përkujtojmë grupin e intelektualëve të Mitrovicës. 23 mjekë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të të drejtave të njeriut, në Dreth të Zubin Potokut, u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë’, shkroi i pari i ekzekutivit.

Kurti ka theksuar se, pavarësisht mohimeve të krimeve të luftës, Serbia vazhdon të mos zbatojë obligimet ndërkombëtare, duke mos zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë dhe duke ua mohuar familjeve të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë.

“Krahas mohimit të krimeve gjenocidale, Serbia vazhdon të shkelë detyrimet e saj ndërkombëtare duke ua mohuar familjeve të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë, duke mos zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.Ne nderojmë sot e gjithmonë, çdo jetë të dhënë për lirinë e Kosovës dhe qëndrojmë pranë familjarëve, duke ruajtur kujtesën dhe duke kërkuar drejtësi. Sakrifica për liri mbetet udhërrëfyese për të çuar përpara Republikën e Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Lavdi!”, shkroi Kurti.