**Hajdari: Kosova angazhohet për integrim të përshpejtuar në tregun evropian të energjisë**
Në Parlamentin Evropian në Bruksel u zhvillua Plenumi Parlamentar i Komunitetit të Energjisë, një ngjarje e rëndësishme ku morën pjesë parlamentarë nga Evropa Juglindore dhe Lindore, si dhe eurodeputetë.
Kosova, e cila do të marrë presidencën e Komunitetit të Energjisë duke filluar nga janari 2026, u përfaqësua në këtë plenum nga Rozeta Hajdari, kryetare e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës. Ajo mbajti fjalim dhe bashkëkryesoi punimet e Plenumit së bashku me Borys Budka, kryetar i Komisionit për Industri, Kërkim dhe Energji (ITRE) të Parlamentit Evropian.
Plenumi u zhvillua në një periudhë kur Evropa po intensifikon përpjekjet për t’u përgatitur për një krizë të mundshme energjetike. Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Dan Jørgensen, Komisioner i BE-së për Energji, dhe Artur Lorkowski, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Të dy theksuan rëndësinë e mbështetjes më të fortë politike për reformat thelbësore në integrimin e tregjeve të energjisë.
Fokusi kryesor i këtij Plenumi ishte integrimi i përshpejtuar në tregjet e energjisë elektrike dhe gazit të BE-së, si dhe diversifikimi i burimeve të furnizimit, në përputhje me modelet evropiane.
Hajdari theksoi se në një kohë kur Evropa rrit përpjekjet për t’u përgatitur ndaj një krize të mundshme globale të energjisë, është jetike që të gjitha palët të angazhohen për reformat kyçe në integrimin e tregjeve të energjisë. Ajo nënvizoi gjithashtu rolin kyç të parlamenteve në miratimin e legjislacionit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformave, duke garantuar një angazhim të qëndrueshëm politik për sigurinë energjetike.
Sipas Hajdarit, Kosova po shënon përparim në përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian. Vetëm këtë javë, Komisioni që ajo drejton ka miratuar në parim Projektligjet për Energjinë dhe atë për Energjinë Elektrike, të cilat tashmë janë proceduar për lexim të parë në Kuvend. Në vijim, pritet shqyrtimi i projektligjeve për efiçiencën e energjisë dhe rregullatorin energjetik.
Në përfundim të takimit, Hajdari theksoi se angazhimi i Kosovës mbetet i qartë: reforma konkrete, bashkëpunim rajonal dhe integrim i qëndrueshëm në tregun energjetik evropian.
