**Debat në Komisionin për Legjislacion për Shkarkimin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës**

Vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Komisionit përgjegjës për provimin e jurisprudencës ka shkaktuar debat të ashpër mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për Legjislacion.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, propozoi që shkarkimi i komisionit aktual të futet në rend dite, duke theksuar se shumë kandidatë janë në pritje dhe asnjë provim nuk është mbajtur brenda një viti. Sipas tij, “Qeveria ka aprovuar pika që lidhen me komisionin e ri për provimin e jurisprudencës, prandaj kjo çështje duhet të jetë në rend dite.” Ai shtoi se kishte edhe një pikë tjetër, atë për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, për të cilën sugjeroi formimin e një grupi pune në vend të dëgjimit publik.

Nga ana tjetër, Besnik Tahiri, anëtar i komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kërkoi një arsyetim të qartë për shkarkimin e një komisioni që ka ende mandat. Tahiri e cilësoi vendimin si “absurd të jashtëzakonshëm”. “Përderisa ekziston një komision i mandatuar dhe funksional, nuk ka logjikë të krijohet një komision i ri. Kjo paraqet një dilemë të rëndë juridike,” theksoi ai.

Kryetari i komisionit, Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deklaroi se shkarkimi i një komisioni të mandatuar për provimin e jurisprudencës pa një arsye individuale, pasi nuk ka justifikim kolektiv, ndodh “vetëm në diktatura”.

Si pasojë e mosvotimit nga ana e opozitës, propozimi për shkarkimin e komisionit për provimin e jurisprudencës nuk u fut në rendin e ditës së Komisionit për Legjislacion.