Kryeministri shqiptar, Edi Rama, mbërrin sot në Athinë për të marrë pjesë në samitin ekonomik të Delfit.

Ardhja e Ramës në kryeqytetin grek ka vënë në lëvizje diplomacinë. Burime pranë Top Channel bëjnë të ditur se Rama pritet të jetë i vetmi lider që do të zhvillojë një takim privat me homologun e tij, Kyriakos Mitsotakis, në selinë e Kryeministrisë greke, Vila Maksimos.

Burime nga qeveria greke i thanë Top Channel se dy kryeministrat do të takohen ballë për ballë paraditen e së mërkurës. Ky fakt tregon vendosmërinë e të dy palëve për të lënë pas mosmarrëveshjet dhe ftohjen në marrëdhënie që pasuan arrestimin e Fredi Belerit në pranverën e vitit 2023.

Për palën greke, prioriteti kryesor mbetet çështja e demarkacionit të ujërave detare mes dy vendeve. Edhe pse është rënë dakord që kjo çështje t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, procesi u shty për shkak të tensioneve dypalëshe. Burimet greke theksojnë se Athina është e gatshme të rifillojë sa më shpejt diskutimet, pasi ky konsiderohet si momenti i fundit për të arritur një marrëveshje reciprokisht të pranueshme.

Kjo për shkak të zhvillimeve politike në Greqi, të cilat mund ta detyrojnë kryeministrin Mitsotakis të hyjë në zgjedhje të parakohshme më shpejt se viti 2027. Një situatë e tillë do ta vendoste atë nën presionin e krahut të djathtë ekstrem brenda partisë së tij, duke e bërë më të vështirë pranimin e një marrëveshjeje që do të përmbajë lëshime për Tiranën zyrtare.

Nga ana tjetër, Tirana zyrtare ka si interes kryesor mbështetjen greke për përfundimin e shpejtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Shqipëria beson se anëtarësimi në BE do të ofrojë zgjidhje automatike për një sërë çështjesh dypalëshe, siç janë ato historike me “ligjin e luftës” që ende mbetet në fuqi mes dy vendeve, si dhe çështje teknike si marrëveshja e pensioneve, të cilat do të gjejnë zgjidhje me hyrjen e Shqipërisë në Unionin Europian.