Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka kundërshtuar me tone të ashpra vendimin e fundit të Qeverisë për të formuar një Komision të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Në një deklaratë për media, Rexhepi e ka cilësuar këtë vendim si ndërhyrje të Qeverisë në punën e institucioneve të pavarura, duke theksuar se ai është “i paligjshëm dhe antikushtetues.”
Ai shprehu shqetësimin për arsyetimin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila e justifikoi emërimin e komisionit të ri me “mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.” Megjithatë, Rexhepi theksoi se përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ nuk mund t’i atribuohet në mënyrë indirekte Komisionit, kur “vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj ligjore për organizimin e provimit.”
“Përpjekjet për të ndërhyrë te Komisioni kanë nisur para një viti, dhe arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë për emërimin e një komisioni të ri janë absurde dhe jo të vërteta,” shtoi ai. Rexhepi sqaroi se, si kryetar i Komisionit të deritanishëm, së bashku me anëtarët, nuk ka lejuar ndërhyrje në vlerësimin e kandidatëve, pasi kjo është në kompetencë ekskluzive të Komisionit. Ai theksoi se puna e Komisionit është bazuar në ligj dhe ka pasur transparencë të plotë, ndërsa “ankesa e vetme nga Ministria e Drejtësisë ka qenë kalueshmëria e ulët.” Për Rexhepin, ka qenë e papranueshme ulja e kritereve të vlerësimit për të shërbyer si “instrument në dorën e Ministrisë së Drejtësisë.”
Për këtë arsye, emërimi i një Komisioni me përbërje të re, pa përfunduar mandati i atij ekzistues, shihet si “ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura,” duke e vendosur këtë veprim “në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria bën edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë.” Ai përfundoi duke theksuar angazhimin e palëkundur për “sundimin e ligjit, funksionimin e pavarur të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik.”
