**Seanca për energjinë, Shala: Sektori energjetik në gjendje kritike**

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, deklaroi se sektori i energjisë elektrike në Kosovë ndodhet në një situatë emergjente dhe tejet të rëndë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, thirrur për të diskutuar mbi çmimet dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, Shala theksoi se qytetarët po paguajnë një taksë të pajustifikuar.

Shala saktësoi se: “Grupi Parlamentar i PDK-së thirri këtë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi situatën e përgjithshme energjetike. Ne kemi monitoruar vazhdimisht, si Grup Parlamentar, gjendjen energjetike të vendit, mënyrën e menaxhimit dhe nivelin e investimeve në këtë sektor. Kemi nxjerrë rezultate profesionale, të bazuara në raporte zyrtare.

Tashmë kemi arritur në përfundimin, jo vetëm ne si Grup Parlamentar, por edhe shoqëria civile dhe opozita në tërësi, se qytetarët po paguajnë një taksë të pajustifikuar dhe se sektori energjetik ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të rëndë në të gjitha dimensionet,” përfundoi Shala.