Lamine Yamal, adhurues i thekur i Messit: “Më i miri në histori, jo vetëm një legjendë e futbollit”

Lamine Yamal vazhdon të shkruajë historinë në një moshë shumë të re. Talenti i Barcelonës fitoi së fundmi dy çmime prestigjioze, duke u bërë sportisti më i ri në histori (në moshën 18-vjeçare) që arrin një sukses të tillë në ceremoninë që vlerëson më të mirët e sportit botëror.

Gjatë këtij eventi të rëndësishëm, sulmuesi spanjoll shfrytëzoi rastin për të folur për idhullin e tij absolut, Lionel Messi, duke i rezervuar atij fjalë plot admirim.

“Kur kupton se një sportist nuk është legjendë vetëm në sportin e tij, por në të gjitha sportet, atëherë do të thotë se është më i miri. Messi është një shembull. Ai është futbollisti më i mirë në histori dhe njëkohësisht edhe sportisti më i madh. Për mua, ai nuk është thjesht një idol i zakonshëm”, u shpreh Yamal.

Këto fjalë ripohojnë lidhjen e fortë emocionale dhe frymëzimin që numri 10 historik i Barcelonës vazhdon të ushqejë te brezat e rinj. Yamal theksoi më tej se respekti për Messin është global: “E gjithë bota e respekton për gjithçka që ka bërë dhe për shembullin që ka dhënë. Shpresoj të ndjek hapat e tij”, deklaroi talenti 18-vjeçar.

Në fund, ai foli edhe për ëndrrën e tij të madhe me kombëtaren e Spanjës, duke vështruar drejt Kupës së Botës që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

“Jam shumë i emocionuar. Kam ëndërruar gjithmonë të luaj në Kupën e Botës dhe dëshiroj ta shoh nënën time në tribunë. Edhe pse kanë mbetur vetëm dy muaj, koha do të kalojë shpejt. Shpresojmë të bëhemi kampionë”, përfundoi Yamal.