Michael Roth, politikan i shquar gjerman dhe ish-ministër shteti për Evropën, ka theksuar se Evropa mund të mësojë nga diversiteti dhe islami paqësor i Kosovës. Këto komente, Roth i bëri gjatë një bisede dhe promovimi të librit të tij “Zonat e frikës” (Zonen der Angst) në Prishtinë, ku po qëndron si mysafir i Ambasadës Gjermane në kuadër të “Ditëve të Gjuhës Gjermane”.
Ai reflektoi mbi fillimet e karrierës së tij politike në Bundestag, Parlamenti Federal i Gjermanisë, në vitin 1998. Në atë kohë, Roth, që ishte nën 30 vjeç, u përball me vendimin e vështirë të Gjermanisë për t’u rreshtuar në ndërhyrjen ushtarake të botës demokratike, me qëllim ndaljen e krimeve kundër njerëzimit që Serbia kryente në Kosovë. Kjo shënoi herën e parë pas Luftës së Dytë Botërore që motori i ekonomisë evropiane merrte pjesë në një operacion ushtarak, një zgjidhje që ai thekson se ishte e vështirë për gjermanët.
“Gjermanët sot nuk duan zgjidhje ushtarake, prandaj kishte hezitime edhe atëherë,” tha ai gjatë ngjarjes në “Reporting House” në Prishtinë.
Si përkrahës i fuqishëm i vlerave evropiane dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, Roth u shpreh se shpesh flitet për Kosovën në kontekste të ndryshme, por rrallë për identitetin e saj evropian, të cilin ai e konsideron thelbësor pasi “ky shtet është vend evropian.”
Ai paralajmëroi se stabiliteti i Ballkanit është thelbësor për politikat globale. “Nuk mund të flasim për politika globale nëse nuk merremi me stabilitetin e Ballkanit,” tha Roth. Duke kujtuar dilemën e asaj kohe mes të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, ai theksoi se vendosi t’i japë përparësi situatës së njerëzve në Kosovë, duke përkrahur ndërhyrjen, megjithëse jo 100% i sigurt në atë moment. Sot, ai është i bindur se ka vepruar drejt dhe se Kosova ka shumëçka për të treguar.
“Ne mund të mësojmë për diversitetin dhe islamin paqësor të Kosovës,” theksoi Roth. “Nuk e di pse këtë nuk e shndërroni në agjendë. Sot në Evropë këto çështje janë shumë delikate dhe duhet të mësojmë nga Kosova.”
Politikani gjerman, i cili ka shërbyer si ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë (2013-2021) dhe si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme (2021-2025), shprehu shqetësimin se Ballkani aktualisht nuk është në agjendat kryesore evropiane dhe globale, duke u lënë hapësirë regjimeve autokratike. Ai kritikoi mungesën e lidershipit në Evropë, duke vënë në pah se vendime të rëndësishme historike kërkojnë politikanë karizmatikë dhe jo vetëm “mendje burokratike e teknike”.
Lidhur me librin e tij “Zonat e Frikës”, Roth shpjegoi se frika është një ndjenjë universale që bashkon njerëzit, por gjithashtu mund të shërbejë si instrument i regjimeve autoritare për të lëkundur demokracinë. Ai e cilësoi librin si një thirrje për zgjim dhe një rrëfim personal mbi frikërat e tij si i ri dhe si politikan.
Roth theksoi rëndësinë e mbajtjes së gjeneratave të reja në vendet e Ballkanit, duke paralajmëruar për rreziqet e braktisjes së kontinentit nga të rinjtë, gjë që dëmton të ardhmen. Për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se ky proces është më i rëndësishëm për Kosovën, pasi Serbia ka interes ta bllokojë. Duke folur për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Roth e cilësoi atë si një “oportunist”, duke shtuar se ai është “jo vetëm i yni, por edhe i Putinit.” Ai kundërshtoi idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të pafundme nëse një palë nuk fiton, duke paralajmëruar se kjo do t’u hapte rrugën nacionalistëve dhe demagogëve.
Në fund, Roth inkurajoi të pranishmit, veçanërisht të rinjtë, të angazhohen në politikë dhe diplomaci, duke marrë përgjegjësi për vendin e tyre. Ai shprehu besimin se mënyra evropiane e jetës do të triumfojë, pavarësisht sfidave, dhe theksoi se politika gjermane duhet të rikuperojë anën emocionale në komunikimin publik, duke e krahasuar me stilin francez, i cili e lejon këtë.
Roth, me karrierën e tij të gjatë politike dhe pikëpamjet e tij të thella mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, ofroi mësime të vlefshme edhe për Kosovën.
