Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, z. Kastriot Jashari, zhvilluan një takim njoftues me përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës.
Në takim u theksua se zbatimi i legjislacionit në fuqi mbetet prioritet i padiskutueshëm dhe se institucionet përkatëse do të intensifikojnë bashkëpunimin me punëdhënësit dhe punëtorët për të siguruar respektimin e plotë të obligimeve ligjore.
Ministri Hoti ritheksoi përkushtimin për avancimin e partneritetit me komunitetin e biznesit, duke potencuar se MPFVLÇ është në proces të konstituimit të Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, një mekanizëm i përcaktuar me ligjin në fuqi, me qëllim që të fuqizohet sistemi kombëtar i SSHP-së me të gjithë partnerët socialë, duke përfshirë institucionet dhe ekspertët e fushës.
Në takim përfaqësuesit e Shoqatës paraqitën shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballet sektori, me qëllim të adresimit të tyre përmes mekanizmave institucionalë.
“Gjithashtu, u bë e ditur se së shpejti do të iniciohet një fushatë institucionale sensibilizuese dhe vetëdijësuese për sigurinë në punë dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, e cila pritet të ndikojë në përmirësimin e praktikave dhe në tejkalimin e sfidave të mundshme gjatë inspektimeve”, thuhet në njoftim. .
Në përfundim, palët vlerësuan se siguria në punë dhe përmirësimi i kushteve të punës përbëjnë interes të përbashkët, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërtimin e një klime të qëndrueshme mirëbesimi.
