**Kriza e karburantit të avionëve: Prishje të furnizimit, shtrenjtim dhe kufizime në fluturime**

Çmimi i karburantit të avionëve (kerozinës) është rritur me 122 për qind që nga nisja e luftës me Iranin, sipas kompanisë konsulente “Energex” me bazë në Londër. Problemet e para me furnizimin u shfaqën në aeroportet aziatike, ndërsa vonesa të konsiderueshme po raportohen edhe në aeroportet italiane.

Linja ajrore gjermane Lufthansa ka mbyllur biznesin e saj “Cityline” dhe ka tërhequr nga shërbimi avionë të vjetër, që kërkojnë sasi të mëdha karburanti. Arsyeja kryesore përmendet çmimi i lartë i karburantit, por edhe grevat e stafit. Mediat gjermane spekulojnë për një rritje të mundshme të çmimeve të biletave, sidomos për fluturimet në distanca të gjata gjatë verës.

Deri tani, gjysma e nevojave evropiane për kerozinë plotësoheshin nga Lindja e Mesme. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) thekson se Evropa është rajoni me varësinë më të lartë nga importet nga Lindja e Mesme. Që nga fillimi i luftës me Iranin, më pak se gjysma e kësaj sasie ka mbërritur, duke nënkuptuar se një e katërta e nevojave të Evropës nuk po plotësohet si zakonisht. Arabia Saudite ka ridrejtuar transportin e naftës së papërpunuar përmes portit të Yanbusë në Detin e Kuq, por ky është një biznes i pasigurt për shkak të rrezikut të sulmeve iraniane.

**Nevojat ushtarake rëndojnë situatën**

Problemet nuk kufizohen vetëm në fluksin e naftës së papërpunuar dhe kerozinës. Sfida ekzistojnë edhe në procesimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e karburantit të avionëve për fluturimet civile. “Autoritetet evropiane po u japin gjithnjë e më shumë përparësi furnizimit me karburant ushtrisë,” thekson “Energex”, duke shtuar se kjo “e ndërlikon më tej situatën”.

Një rol kyç në shpërndarjen e kerozinës luan “Sistemi i Tubacioneve të Evropës Qendrore” (CEPS). Ky sistem, një strukturë ushtarake e NATO-s, lidh portet detare me aeroportet dhe garnizonet ushtarake. Aeroportet e Frankfurtit, Amsterdamit, Cyrihut, Brukselit dhe Luksemburgut janë të lidhura me të.

Në luftën aktuale me Iranin, Forcat Ajrore Amerikane duhet gjithashtu të sigurojnë burime karburanti. “Përdorimi i CEPS do të rritet për të furnizuar aeroportet amerikane në Gjermani,” paralajmëron “Energex”, duke kujtuar se gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, CEPS u mbyll përkohësisht për përdorim civil.

Aeroporti i Frankfurtit nuk varet tërësisht nga CEPS. Ekziston edhe një tubacion civil që shkon drejt portit të Roterdamit, i cili mbush depozitat, nga ku një tubacion i veçantë çon drejt aeroportit aty pranë. Megjithatë, pavarësisht nëse tubacioni është civil apo ushtarak, porti i madh evropian i Roterdamit po merr shumë pak karburant aktualisht.

**Alternativat dhe kapacitetet rafinuese**

Në parim, ekzistojnë alternativa ndaj furnizuesve të Lindjes së Mesme, por kalimi tek ato nuk është gjithmonë i lehtë. Rafineritë në Azi përdorin naftë ruse, e cila aktualisht është nën bojkot për shkak të luftës në Ukrainë. Të tjerat po përballen me çmime të larta në treg. Kjo ka çuar në një rritje të kërkesës për kompanitë e naftës në Nigeri dhe SHBA, por kapacitetet e tyre janë të vogla dhe nuk mund të kompensojnë ndërprerjen e furnizimeve nga Lindja e Mesme.

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche, dhe politikanë të tjerë evropianë po përpiqen të qetësojnë situatën, duke theksuar se Evropa nuk varet nga importet e kerozinës së përpunuar, pasi ka rafineri që mund të prodhojnë karburant avionësh nga nafta e papërpunuar. Por pas rënies së kërkesës gjatë pandemisë dhe përpjekjeve për të përdorur më shumë energji të gjelbër, kapacitetet e rafinimit janë zvogëluar. “Energex” ka njoftuar se Evropa po prodhon tani një të katërtën më pak kerozinë sesa para pandemisë.

Përveç kësaj, ekziston edhe mungesë e naftës së papërpunuar. Jo të gjitha rafineritë janë teknikisht të afta për këtë prodhim kompleks. Ato që mundin, tashmë po operojnë me kapacitet të plotë dhe po realizojnë fitime të konsiderueshme.

Nuk ka alternativë të menjëhershme ndaj karburantit të avionëve që rrjedh nga nafta. Përpjekjet për të prodhuar kerozinë në mënyrë artificiale duke përdorur energji të gjelbër kanë funksionuar deri tani vetëm në impiante pilot të vogla, duke prodhuar disa mijëra ton në vit. Për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike, një ton i tillë karburanti është rreth 1,000 dollarë më i shtrenjtë se kerozina fosile.

Sipas “Energex”, rezervat totale në Gjermani janë të mjaftueshme për gjashtë javë. Furnizuesi i karburantit në Aeroportin e Frankfurtit deklaron se mund të ruajë maksimumi 186 milionë litra, ndërsa konsumi ditor i aeroportit është 15 milionë litra. IEA parashikon një rritje të lehtë të kërkesës globale, ndërsa Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) parashikon një rritje shumë më të lartë të kërkesës për karburant avionësh.

**Më pak fluturime me çmime më të larta**

Lufta në Ukrainë, dhe tani lufta me Iranin, e kanë bërë tashmë udhëtimin ajror më të shtrenjtë. Avionët detyrohen të bëjnë devijime. Për shkak të kohëzgjatjeve më të gjata të fluturimit dhe mbërritjeve të papërshtatshme, ekipet dhe avionët nuk mund të vendosen më me efikasitetin e mëparshëm. Këta faktorë, që tashmë rrisin kostot, tani shoqërohen nga çmimet në rritje të karburantit. Deri më tani, karburanti përbënte 20 deri në 30 për qind të kostove operative të linjave ajrore. Me rritjen e çmimit në më shumë se 1,800 dollarë për ton – më shumë se dyfishi – llogaritjet e çmimeve do të ndryshojnë ndjeshëm.

Linjat ajrore po i drejtohen politikës për lehtësim, për shkak të çmimeve të larta të karburantit. Shoqata e Industrisë Gjermane të Transportit Ajror (BDL), për shembull, propozon pezullimin e përkohshëm të sistemit të tregtimit të emetimeve për trafikun ajror në BE, si dhe taksat ajrore.

“Konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikimin më të madh në trafikun ajror ndërkombëtar, evropian dhe kombëtar që nga pandemia e koronavirusit,” paralajmëroi Shoqata.

Lufthansa dhe Eurowings kanë anuluar tashmë disa fluturime. Nga fundi i majit, pritet të shkurtohen rreth 20,000 fluturime vetëm nga Lufthansa. Nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, numri i fluturimeve të anuluara mund të rritet, ndërsa biletat mund të bëhen edhe më të shtrenjta. Komisioni Evropian ka parashikuar marrjen e masave të posaçme.