**Barcelona synon Vedat Muriqin, çmimi rreth 15 milionë euro**
Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi po zhvillon sezonin më të mirë të karrierës së tij me ekipin e Mallorcës. Ai është shndërruar në një nga golashënuesit më të spikatur të La Ligës këtë edicion, duke regjistruar 21 gola.
Forma e tij e shkëlqyer nuk ka kaluar pa u vënë re, duke tërhequr edhe vëmendjen e gjigantit katalanas, Barcelonës, e cila është në kërkim të alternativave efektive dhe ekonomike për sulmin.
Sipas mediave spanjolle, klubi katalanas e vlerëson Muriqin si një sulmues me karakteristika të ndryshme nga ata aktualë: i fortë fizikisht, dominues në duelet ajrore dhe mjaft i rrezikshëm brenda zonës së penalltisë.
Për më tepër, përvoja e tij në La Liga e bën atë një zgjidhje të sigurt që mund të përshtatet menjëherë në ekip. Një lëvizje e tillë konsiderohet e realizueshme financiarisht, pasi vlera e kartonit të tij llogaritet rreth 15 milionë euro, një shifër kjo krejtësisht e përballueshme për Barcelonën, sidomos në kushtet aktuale ekonomike të klubit.
Nëse ky transferim materializohet, Muriqi do të bënte hapin më të madh në karrierën e tij, duke iu bashkuar një prej klubeve më prestigjioze në Evropë.
