Ka tre gjëra të pandryshueshme kurrë në kontributin që Rexhep Qosja ka për Kosovën dhe historinë e shqiptarëve.
Shkruan: Mero Baze
E para është pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë Kosovës një identitet shtetëror qysh nga mesi i viteve ’70 e në vazhdim deri në pavarësinë e saj. Personaliteti i tij i fortë si studiues i letërsisë shqiptare, si shkrimtar, si kontribues i madh në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe si polemist autoritar i çështjes shqiptare e bën atë përfaqësuesin me më ndikim të elitës intelektuale të Kosovës, që çliroi aq shumë energji kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe zgjimin e shoqërisë shqiptare atje.
Në mungesë të institucioneve të mirëfillta kulturore të shqiptarëve në Kosovë, personalitetet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës zëvendësuan në dy dekadat e fundit të ish-Jugosllavisë gjithë boshllëqet që kishte shoqëria shqiptare në ish-Jugosllavi. Ata i ofruan Kosovës identitetin e tyre kulturor dhe vetëdijen kombëtare si identitet të saj, duke u njëhsuar me të dhe duke e përfaqësuar atë.
Kushdo që kishte dyshime se kush është Kosova dhe çfarë duan kosovarët, e vetmja përgjigje që të nderonte ishte të tregoje apo citoje emrat e Ibrahim Rugovës, Rexhep Qoses, Gazmend Zajmit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes e dhjetëra intelektualëve të tjerë. Ata fituan betejën me shkrimtarët serbë në përballje në Beograd në prill të vitit 1988 .
Së dyti është kontributi i tij në kulturën shqiptare. Rexhep Qosja nuk është shkrimtari më i mirë i historisë së Shqipërisë, por ai është pa dyshim historiani më i madh i letërsisë shqiptare dhe një interpret frymëzues i saj. Ti mund të mos kishe lexuar kurrë Naim Frashërin, por po të lexoje “Porosinë e Madhe” të Qoses, do detyroheshe të shfletoje poetin tonë kombëtar.
E vërteta është se ai ka pranuar të tejkalojë ftohtësinë e historianit për të na e bërë më të madhe dhe më me vlera letërsinë tonë, por kjo nuk e bën atë deformues të historisë së letërsisë sonë, por një agjitator të saj në kushtet kur Kosova kishte nevojë për një identitet kulturor të lidhur me Shqipërinë dhe historinë e saj.
Së treti, Rexhep Qosja mbeti ndoshta ithtari i vetëm i bashkimit kombëtar të Kosovës me Shqipërinë deri në fund të jetës së tij fizike. Dhe nuk mbeti vetëm me retorikë, por me qëndrime. Ai ishte ndoshta i rralli, për të mos thënë i vetmi intelektual i madh i Kosovës, që e shkruan gjuhën shqipe më mirë se shumica e intelektualëve të Shqipërisë, i vetmi polemist që e përdorte shqipen si raketë vdekjeprurëse dhe ndoshta i vetmi kontributor politik, që armë të vetme kishte gjuhën shqipe.
Njësoj si kombi shqiptar, i cili identifikohet si komb për shkak të gjuhës dhe bashkohet rreth gjuhës për t’u quajtur shqiptar dhe jo rreth fesë apo historisë, edhe ai, duke u identifikuar me shqipen, arriti të identifikohej me kombin shqiptar.
Gjithë gjërat e tjera të Rexhep Qoses mund t’i kritikosh apo t’i injorosh, siç mund të bësh me çdo njeri të gjallë. Mund të tallesh me mungesën e mbështetjes politike për të, me sherret e tij të pafundme me klasën politike shqiptare, me përplasjet e tij epike me Kadarenë për Perandorinë Osmane dhe Evropën apo me manirat e tij intelektuale, por që një lis i madh të qëndrojë në këmbë, i nevojiten rrënjë, se gjethet ndërrojnë çdo vit. Dhe këto tre rrënjë të thella që Rexhep Qosja ka lëshuar në tokën shqiptare do ta mbajnë në këmbë gjatë.
