**Tërmet 5.7 Rihter godet Greqinë, i ndjerë fuqishëm në Kretë**

Një tërmet me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm në Greqi. Sipas të dhënave të Institutit Gjeodinamik të Athinës, epiqendra e tij është lokalizuar në zonën detare, 23 kilometra në jug-jugperëndim të Goudourasit, në Lassithi, me një thellësi prej 9.7 kilometrash.

Informacionet paraprake, të raportuara nga mediat lokale dhe ato rajonale, theksojnë se deri më tani nuk janë raportuar dëme materiale apo viktima. Tërmeti është ndjerë fuqishëm në të gjithë ishullin e Kretës, siç bëjnë me dije raportimet e medias “Protothema”.

Kryebashkiaku i Sitias, Giorgos Zervakis, u shpreh se tërmeti ishte i fortë dhe me një kohëzgjatje të konsiderueshme.

Deri në këtë moment, pas tërmetit kryesor, në të njëjtën zonë janë regjistruar edhe pesë lëkundje të tjera, me magnitudë që varion nga 3.5 deri në 3.8 të shkallës Rihter.