Njësiti i Hetimeve Rajonale të Policisë në Gjilan me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan pas disa hetimeve disa mujore  ka kapur një person me inicialet B.S.  nën dyshimin për “Fajde” dhe ‘’Armëmbajtje pa leje’’

Sipas policisë, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit me banim në komunën e Vitisë janë gjetur edhe para, armë dhe fishekë.

“Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, sot më datë 24.04.2026 është realizuar kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar ;

  • Para të gatshme në vlerë prej pesë mijë (5000) euro,
  • Një (1) pistoletë me gas,
  • Një (1) pushkë gjuetie (me leje valide)
  • Një (1) pistoletë me një karikator dhe katër (4) copë fishekë cal.9X19mm (me leje valide)
  • Njëzet e nëntë (29) copë fishekë të pushkës së gjuetisë e kalibrit 12 mm,
  • Gjashtëdhjetë e një (61) copë fishekë të pistoletës e kalibrit 9X19 mm”.

Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të lëndës është ndaluar në qendrën e ndalimit në afat prej 48 orësh, transmeton Klankosova.tv.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.