Gjobitet rëndë një shofer 19-vjeçar në Shtime pasi u kap duke vozitur me 193 km/h në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 80 km/h. Përveç tejkalimit të shpejtësisë, ai nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve policorë për ndalim, duke u ndëshkuar me një gjobë totale prej 650 eurosh.
Policia e Kosovës njoftoi se incidenti ka ndodhur në rrugën “Tahir Sinani”, në drejtim të fshatit Gjurkoc. I riu, që drejtonte një automjet të tipit BMW me targa vendore, kishte tejkaluar ndjeshëm shpejtësinë e lejuar.
Shoferi me inicialet D.Q. fillimisht nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim, por u identifikua më pas përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.
Për tejkalim të shpejtësisë, D.Q. iu shqiptua një gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative në patentë dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për një periudhë gjashtëmujore. Ndërkaq, për mosbindje ndaj urdhrit të policisë, atij iu vendos edhe një gjobë prej 150 eurosh, shoqëruar me një pikë negative.
Policia Rajonale në Ferizaj ka lëshuar një apel drejtuar të gjithë shoferëve, duke i kërkuar të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe urdhrat e zyrtarëve policorë. “Shpejtësia e tepërt rrezikon drejtpërdrejt jetën e pjesëmarrësve në trafik,” theksohet në apelin e autoriteteve.
