Shqipëria, ndër vendet e NATO-s me gatishmërinë më të lartë për mbrojtjen e atdheut
Shqipëria renditet ndër vendet anëtare të NATO-s me nivelin më të lartë të gatishmërisë së qytetarëve për të luftuar për atdheun.
Një sondazh i publikuar nga Instituti Amerikan “Foreign Policy Research” zbulon se 69 për qind e shqiptarëve do të ishin të gatshëm të merrnin armët për vendin e tyre.
Ky rezultat e pozicionon Shqipërinë në vendin e dytë mes vendeve të NATO-s, menjëherë pas Turqisë, e cila kryeson me 88 për qind. Vendi ynë lë pas shtete si Suedia, Finlanda dhe Mali i Zi.
Sipas të dhënave të sondazhit, pesë vendet me përqindjen më të lartë të qytetarëve të gatshëm për të luftuar janë: Turqia (88%), Shqipëria (69%), Suedia (66%), Finlanda (64%) dhe Mali i Zi (63%).
Ndër 10 vendet e para përfshihen gjithashtu Greqia (63%), Norvegjia (61%), Lituania (52%), Polonia dhe Sllovenia (të dyja me 49%).
Nga ana tjetër, vendet anëtare të NATO-s me nivelin më të ulët të gatishmërisë për të luftuar për atdheun janë Italia dhe Sllovakia (të dyja me 25%), Gjermania (27%), Holanda (30%), si dhe Hungaria dhe Republika Çeke (të dyja me 33%).
