**Burim Ramadani: Rrugët ilegale të armëve në veri ende aktive, rrezikohet siguria**
Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, ka theksuar se rrugët ilegale për furnizimin me armë në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë aktive, duke dëmtuar seriozisht sigurinë në vend. Kjo deklaratë vjen pas zbulimit të vazhdueshëm të armatimit, siç ishte rasti i fundit para pak ditësh në një shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Policia e Kosovës konfirmoi zbulimin e kësaj sasie armatimi më 22 mars. Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, bëri të ditur se gjatë patrullimit u gjetën dhe u konfiskuan një armë AK-47 me pesë karikatorë të mbushur me 68 fishekë, dy uniforma të kamufluara, pajisje për pastrimin e armëve dhe një granatë dore.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ramadani shpjegoi se prania e armatimit në veri, veçanërisht pas luftës, lidhet jo vetëm me historinë, por edhe me mundësinë e qarkullimit të tyre. Ai vlerëson aksionet e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë për zbulimin e sasive të fshehura, por thekson se një pjesë e rrugëve ilegale, që lidhen me Serbinë, janë ende në funksion, siç ka konfirmuar edhe vetë Policia.
Ramadani potencon se është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës dhe Policia të mbyllin përfundimisht të gjitha këto rrugë ilegale. Sipas tij, dështimi në këtë drejtim rrezikon jo vetëm stabilitetin në veri, por edhe jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Sa i përket pyetjes nëse po shtohen rrugë të reja për furnizimin me armë, Ramadani tha se nuk ka dijeni, duke sqaruar se kjo çështje është në kompetencë të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Ai kërkon nga këto dy institucione të jenë më transparentë, më të saktë dhe më rigorozë në punën e tyre për të ndaluar të gjitha rrugët ilegale.
Ramadani thekson se prania e armëve ilegale në veri është një shkaktar kryesor i cenimit të sigurisë së Republikës së Kosovës. Veçanërisht pas rastit të Banjskës, ai shprehet se është e qartë që motivi i posedimit të tyre nuk është hobi, por lidhet me synimet politike të Serbisë dhe përpjekjet për destabilizim të sigurisë në Kosovë.
/Ekonomia Online
