**Gims, reperi i njohur, arrestohet në Francë nën akuzat për pastrim parash**
Reperi kongolez me famë ndërkombëtare, Gims (i njohur edhe si Maitre Gims), është arrestuar në Francë, duke u vendosur në qendër të një hetimi të madh ligjor për pastrim parash dhe krim të organizuar. Ndalimi i artistit, autor i hitit “Est-ce que tu m’aimes”, ndodhi të mërkurën e 25 marsit në aeroportin “Charles-de-Gaulle” të Parisit, menjëherë pas kalimit të doganës. Aktualisht, ai po merret në pyetje nga Prokuroria Kombëtare kundër Krimit të Organizuar (PNACO), nën akuzën se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas raportimeve të mediave franceze dhe agjencisë AFP, hetimet kanë nxjerrë në dritë një rrjet të gjerë kompanish, të cilat dyshohet se janë përdorur për shmangie taksash (TVSH-je), faturime fiktive dhe pastrim parash të ardhura nga aktivitete të paligjshme.
Në thelb të këtij hetimi masiv qëndron një projekt luksoz imobiliar në Marrakech të Marokut, i njohur si “Sunset Village Private Residences”, i cili është promovuar fuqishëm nga Gims kohët e fundit. Ky projekt, që përfshin mbi njëqind vila luksi, dyshohet nga hetuesit se mund të jetë shfrytëzuar si maskë për transaksione të paligjshme.
Avokati i reperit, David-Olivier Kaminski, ka refuzuar të komentojë për mediat, gjë që e rëndon edhe më tej pozicionin e artistit 39-vjeçar. Kjo vjen vetëm një vit pasi Gims theu rekordet e shitjeve në tregun evropian.
Ky zhvillim pritet të ndryshojë edhe planet për një performancë të Gims në Kosovë këtë verë. Mbetet e paqartë nëse agjencia e tij menaxhuese do të anulojë apo shtyjë të gjitha datat e turneut ndërkombëtar, pas këtyre problemeve serioze me drejtësinë.
