Tifogrupi zyrtar i klubit gjakovar ka reaguar pas ankesave të tifozëve të KF Liria, duke i kundërshtuar pretendimet për mungesë biletash dhe duke theksuar se në Gjakovë nuk ekziston një problem i tillë.

Sipas reagimit, stadiumi në Gjakovë është i hapur për të gjithë tifozët, pa pasur nevojë për bileta, dhe se ajo që kërkohet është “pasioni dhe trimëria”, që sipas tyre, mungojnë tek tifogrupi prizrenas.

Ata ironizojnë kërkesën për 500 bileta, duke theksuar se në ndeshjet në Prizren zakonisht marrin pjesë një numër shumë më i vogël tifozësh në tribunë, ndërsa shtojnë se tifogrupi në fjalë nuk ka udhëtuar jashtë qytetit për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, gjakovarët theksojnë se dera e stadiumit është e hapur jo vetëm për 500, por edhe për mijëra tifozë, duke i ftuar hapur që të jenë të pranishëm në ndeshje pa asnjë pengesë.

Në reagim thuhet gjithashtu se tifoskena e tyre e ka dëshmuar vazhdimisht se mund të udhëtojë në çdo qytet, pa kërkuar bileta apo masa të veçanta sigurie, duke përmendur prezencën e tyre në Prizren, Rahovec dhe vende të tjera.

Tifogrupi i Vëllaznimit pretendon se kërkesa e prizrenasve nuk është refuzuar, por përkundrazi u është garantuar vendi në stadium, si dhe janë siguruar edhe forca shtesë policore.

Ata rikujtojnë një rast të mëhershëm, kur sipas tyre, klubi prizrenas FC Pllumat u kishte ofruar vetëm 5% të kapacitetit të stadiumit, por megjithatë ata kishin marrë pjesë pa u ankuar publikisht. Në fund, reagimi përmbyllet me një mesazh sfidues dhe mikpritës njëkohësisht, duke theksuar se në Gjakovë nuk ka nevojë për bileta dhe duke i ftuar tifozët mysafirë të jenë të pranishëm në qytet./GazetaExpress/