**IKD: Raporti i BE-së 2026 konfirmon gjendjen shqetësuese të sundimit të ligjit dhe ngecjen e reformave në Kosovë**
**Prishtinë** – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian (KE) për Kosovën për vitin 2026 paraqet një pasqyrë shqetësuese të gjendjes së sundimit të ligjit, funksionimit të institucioneve demokratike dhe zbatimit të reformave. Sipas IKD-së, gjetjet e raportit dëshmojnë se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze dhe të përsëritura, të cilat janë identifikuar edhe në raportet e viteve paraprake, pa u adresuar në mënyrë të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse.
Vlerësimi i Komisionit Evropian thekson mungesën e progresit në funksionimin e gjyqësorit, duke shënuar një përkeqësim krahasuar me tre vitet e mëparshme, kur progresi ishte cilësuar si i kufizuar. KE ka vënë në pah gjithashtu zhvillime shqetësuese në respektimin e të drejtave themelore dhe në funksionimin e përgjithshëm të sistemit të drejtësisë.
IKD-ja thekson se këto gjetje nuk duhet të shihen si probleme të izoluara të një viti, por si rezultat i mangësive strukturore të vazhdueshme, vonesave në zbatimin e reformave dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Për vite me radhë, raportet e KE-së kanë identifikuar pothuajse të njëjtat sfida, ndërsa masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të siguruar ndryshime thelbësore. Kriza politike dhe institucionale që ka përfshirë Kosovën që nga zgjedhjet e shkurtit 2025, sipas IKD-së, e ka rënduar më tej këtë gjendje, duke penguar zbatimin e reformave thelbësore dhe agjendën e integrimit evropian.
**Drejtësia: Nga progres i kufizuar në mungesë progresi**
Vlerësimi i Komisionit Evropian për mungesën e progresit në funksionimin e gjyqësorit konsiderohet si një nga gjetjet më serioze të raportit të vitit 2026. Në vend të konsolidimit të reformave, sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me sfida të lidhura me pavarësinë, llogaridhënien, efikasitetin dhe funksionimin institucional.
Veçanërisht shqetësuese janë konstatimet lidhur me ndikimet e papërshtatshme politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë përbën parakusht për funksionimin e shtetit të së drejtës, ndërsa çdo përpjekje për ndikim apo ndërhyrje cenon besimin e qytetarëve në drejtësi. IKD-ja vlerëson se vonesat në miratimin dhe zbatimin e reformave, përfshirë legjislacionin që rrjedh nga procesi i reformës sipas deklaratës së përbashkët të angazhimeve, kanë ndikuar në vazhdimin e problemeve të identifikuara nga KE-ja.
**Luftimi i korrupsionit: Mungesë e rezultateve të qëndrueshme**
Edhe në fushën e luftimit të korrupsionit, raporti evidenton progres të kufizuar. Kjo tregon se përpjekjet institucionale ende nuk kanë sjellë rezultate të qëndrueshme, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë. IKD-ja thekson se luftimi efektiv i korrupsionit kërkon jo vetëm një kornizë ligjore adekuate, por edhe institucione të pavarura, hetime profesionale, ndjekje penale efektive dhe vendime gjyqësore përfundimtare. Për më tepër, KE-ja thekson se Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse për luftimin e korrupsionit dhe nuk ka një qasje koherente për forcimin e përpjekjeve antikorrupsion.
Mungesa e progresit domethënës në këtë fushë, e përsëritur në raportet e KE-së, duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse dhe si bazë për masa konkrete korrigjuese.
**Kuvendi dhe Qeveria: Kriza institucionale pengoi reformat**
Raporti i vitit 2026 vë në pah se procesi i reformave të ndërlidhura me integrimin evropian është penguar nga kriza e zgjatur institucionale. Mosfunksionimi i rregullt i institucioneve dhe mungesa e stabilitetit politik kanë ndikuar në procesin legjislativ, mbikëqyrjen parlamentare dhe zbatimin e politikave publike.
Kuvendi i Kosovës duhet të jetë institucioni qendror i përfaqësimit demokratik, ligjvënies dhe kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë. Megjithatë, krizat e vazhdueshme politike kanë dobësuar aftësinë e tij për të ushtruar këto funksione në mënyrë efektive. Në të njëjtën kohë, mungesa e funksionimit të plotë dhe të qëndrueshëm të institucioneve ekzekutive ka penguar avancimin e reformave, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e agjendës evropiane.
IKD-ja konsideron se përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’i atribuohet vetëm rrethanave politike. Institucionet dhe subjektet politike kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krijimin e kushteve që sigurojnë funksionimin demokratik, respektimin e Kushtetutës dhe vazhdimësinë e reformave.
**Reforma e administratës publike: Përmirësime të pjesshme, probleme të vazhdueshme**
Në reformën e administratës publike, raporti evidenton disa përparime, por problemet strukturore vazhdojnë të mbeten të pranishme. Profesionalizimi i shërbimit civil, rekrutimi mbi bazën e meritës, llogaridhënia dhe zbatimi efektiv i reformave vazhdojnë të kërkojnë angazhim institucional.
IKD-ja vlerëson se një administratë profesionale dhe e depolitizuar është parakusht për qeverisje efektive dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjeve dhe politikave publike. Raporti i KE-së, po ashtu vë në pah kritikat e shoqërisë civile për mungesë transparence dhe parregullsi në përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së dhe RTK-së, si dhe për vendimet dhe gjobat e KPM-së ndaj mediave, ligjshmëria e të cilave është kontestuar. Veçanërisht shqetësues mbetet mosfunksionimi i Bordit të Ankesave të KPM-së që nga nëntori 2023, ndërsa RTK-ja vazhdon të përballet me krizë të rëndë financiare dhe mungesë të një modeli të qëndrueshëm e të pavarur financimi.
**IKD kërkon përgjegjësi institucionale dhe ndryshim të qasjes ndaj reformave**
Për IKD-në, mesazhi kryesor i Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026 është se Kosova nuk mund të vazhdojë me të njëjtën qasje ndaj reformave dhe të presë rezultate të ndryshme. Raportet e njëpasnjëshme të KE-së kanë identifikuar probleme të ngjashme në sundimin e ligjit, drejtësi, korrupsion, administratë publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Përsëritja e këtyre gjetjeve tregon se problemet nuk janë adresuar me seriozitetin dhe efektivitetin e nevojshëm.
IKD-ja u bën thirrje Kuvendit, Qeverisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për adresimin e rekomandimeve të KE-së, duke përcaktuar përgjegjësi të qarta institucionale, afate të matshme dhe mekanizma transparentë të raportimit. Prioritet duhet t’u jepet reformave që forcojnë pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit dhe prokurorisë, përmirësojnë rezultatet në luftimin e korrupsionit, sigurojnë funksionimin efektiv të Kuvendit dhe Qeverisë dhe avancojnë profesionalizimin e administratës publike.
Instituti thekson se raporti i vitit 2026 duhet të shërbejë si një thirrje serioze për ndryshimin e qasjes institucionale. Kosova nuk ka nevojë për përsëritjen e premtimeve për reforma, por për institucione funksionale, përgjegjësi politike dhe rezultate të matshme. Vazhdimi i stanjacionit dhe përkeqësimi i gjendjes në fusha të caktuara të sundimit të ligjit, sipas IKD-së, nuk dëmtojnë vetëm procesin e integrimit evropian, por mbi të gjitha cenojnë të drejtën e qytetarëve për drejtësi efektive, siguri juridike dhe qeverisje të përgjegjshme.
