Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në mbledhjen e Bordit Këshillëdhënës për Industri të RIT Kosova, një mekanizëm që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucionit akademik, komunitetit profesional dhe institucioneve, me qëllim përshtatjen e programeve akademike me nevojat e tregut.
Gjatë mbledhjes, ministrja Kusari-Lila prezantoi prioritetet e MINTI-t për forcimin e kapaciteteve prodhuese, rritjen e përpunimit me vlerë të shtuar dhe integrimin e bizneseve vendore në zinxhirët rajonalë dhe ndërkombëtarë të furnizimit.
Në këtë drejtim, zhvillimi i kapaciteteve profesionale dhe akademike, si dhe përshtatja e vazhdueshme e tyre me kërkesat e tregut, u trajtuan si faktorë të rëndësishëm për rritjen e konkurrueshmërisë së industrisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës. Miratimi i tij pritet të krijojë bazën për një kornizë të re institucionale dhe financiare, përmes themelimit të Fondit të Inovacionit dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e hulumtimit dhe zhvillimit.
“RIT Kosova dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë kanë rol të rëndësishëm në këtë proces, përmes afërsisë më të madhe ndërmjet arsimit dhe industrisë, shkëmbimit të njohurive dhe lidhjes së bizneseve e institucioneve me rrjetet ndërkombëtare. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, industrisë dhe arsimit të lartë synon të ndihmojë në përgatitjen e kuadrove profesionale sipas kërkesave të tregut dhe në krijimin e kushteve për zhvillimin e një industrie më konkurruese”, thuhet në njoftim.
