**Vjosa Osmani mbetet “Presidente” dhe merr 70 për qind të pagës pas përfundimit të mandatit**

Vjosa Osmani do të vazhdojë të mbajë titullin “Presidente” dhe të njihet zyrtarisht, sipas ligjit, edhe pas datës 4 prill, kur pritet të përfundojë mandati i saj aktual si Kryetare e Shtetit, përveç nëse rizgjidhet për një mandat tjetër.

Këtë të drejtë ia garanton Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës, më saktësisht pika 3 e nenit 18 të këtij akti juridik.

“Pas përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur, thirrja ‘President’ vazhdon të vlejë për Presidentin e Republikës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni,” thuhet në këtë pikë.

Përveç këtij privilegji, nëse nuk vendos ndryshe për të ardhmen e saj, Presidentja Osmani do të përfitojë edhe privilegje e përfitime të tjera, në cilësinë e Presidenteje me mandat të përfunduar. Këtu përfshihet edhe paga, gjatë gjithë jetës, në masën 70 për qind të pagës që ka marrë gjatë kohës së ushtrimit të detyrës.

Po ashtu, Presidentja Osmani ka të drejtën e shfrytëzimit të pasaportës diplomatike, si ajo, ashtu edhe bashkëshorti i saj, gjatë gjithë jetës.

Megjithatë, këto përfitime mund të ndërpriten, nëse ajo, ose cilido President apo Presidente tjetër që e ka kryer mandatin në mënyrë të rregullt, vendos ndryshe.

“Presidentit të Republikës së Kosovës, të cilit i përfundon mandati, mund t’i shfuqizohen me kërkesën e tij/saj të drejtat e caktuara me këtë ligj,” thuhet në nenin 23 të këtij ligji. /KosovaPress