Visar Azemi: KESCO duhet të zbulojë sa qytetarë u manipuluan me njehsorë, koston dhe kur do të kompensohen
Visar Azemi, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media të mbajtur dje, deklaroi se njehsorët elektrikë të KESCO-s matin kohën gabim. Azemi theksoi se ka kryer një hulumtim për këtë çështje.
Ai u shpreh se reagimi i KESCO-s ndaj deklarimeve të tij ishte në fakt një “vërtetim” i problemit.
“Nëpërmjet disa artikujve të sponsorizuar, KESCO ka reaguar lidhur me konferencën që mbajtëm për problemet me njehsorët elektrikë. Por, reagimi i tyre nuk e mohon problemin! Në fakt, e vërteton atë. Sepse vetë thanë se mund të ketë devijime. Pra, devijimet ekzistojnë edhe sipas tyre. Por, nga 884 mostrat të cilat unë personalisht i kam verifikuar, 87% e tyre tregojnë se ka probleme në matje. Pra, nuk flasim për gabim, por për një dështim sistemik,” tha Azemi.
Ai shtoi: “Tani pyetja është shumë e thjeshtë: nëse devijimet ekzistojnë, pse është dashur që qytetarët e Republikës së Kosovës të faturohen me çmim të shtrenjtë të energjisë në kohën kur, sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është dashur të faturoheshin me çmim të lirë?”
Deputeti Azemi kërkoi që KESCO të tregojë se sa qytetarë janë dëmtuar nga këto anomali.
“Shumica e familjeve tona presin orën 22:00, atëherë kur fillon tarifa e lirë, për të lëshuar bojlerin, ngrohjen, për të larë enët dhe rrobat. Pra, ky është skandali. Shumica e këtyre familjeve janë vjedhur. Prandaj pyetja është e thjeshtë: KESCO duhet të tregojë qartë se sa qytetarë janë manipuluar, sa është kostoja e këtyre manipulimeve dhe se kur do të kompensohen këta qytetarë për këto manipulime? Nuk mjaftojnë artikujt e sponsorizuar në media. Nuk mjaftojnë arsyetimet,” theksoi Azemi.
Ai paralajmëroi se nuk do të ndalet me kaq. “Do t’i ftoj organet për hetim. Do të kërkoj përgjegjësi. Do të kërkoj kompensim për qytetarët e Kosovës dhe këtë do ta bëj menjëherë. Prandaj i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që të merret me hetimin e këtij rasti,” përfundoi Visar Azemi.
