**Vdekje tragjike në Vushtrri: Një burrë gjendet i pajetë me djegie, dyshohet nga flakët e mbeturinave**

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Stroc të Vushtrrisë, ku një burrë është gjetur i pajetë dhe me djegie të rënda në trup.

Rasti u zbulua pasditen e 25 marsit, rreth orës 17:00. Personi që bëri denoncimin, Sh. I., e gjeti trupin e viktimës, Bejtullah Isufi, në një fushë.

Dyshohet se viktima kishte ndezur një grumbull mbeturinash dhe, për rrethana ende të paqarta, është përfshirë nga flakët, duke mos arritur të shpëtojë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konfirmuar vdekjen e tij. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se viktima kishte edhe probleme shëndetësore, çka mund të ketë ndikuar në zhvillimin tragjik të ngjarjes.

Policia ka bërë të ditur se trupi i pajetë, me vendim të prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen” dhe autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.