Trump për incidentin me tentativën e armatosur: I dyshuari, ‘një person i sëmurë’ me manifest ‘thellësisht antikristian’

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se personi i dyshuar për tentativën e armatosur gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë kishte shkruar një manifest me përmbajtje “thellësisht antikristiane”.

Në një intervistë telefonike për emisionin “The Sunday Briefing” në Fox News, Trump theksoi se i dyshuari, i cili tentoi të futej i armatosur në sallën ku po mbahej aktiviteti, u ndalua nga forcat e rendit dhe nuk arriti të depërtonte brenda ambienteve.

“Bëhet fjalë për një person të sëmurë, i cili ka kultivuar një urrejtje të thellë për një kohë të gjatë. Ai kishte shkruar një manifest thellësisht antikristian. Kur ta lexoni, do të kuptoni se ai urren të krishterët”, deklaroi Trump.

Sipas presidentit amerikan, edhe familja e të dyshuarit ishte në dijeni të problemeve të tij. “Është një person dukshëm i trazuar mendërisht. Besoj se motra apo vëllai i tij kishin shprehur shqetësime, madje edhe pranë autoriteteve”, shtoi ai.

Trump shtoi se familjarët mund të kishin reaguar më herët dhe me më shumë vendosmëri lidhur me situatën.

Në eventin ku ndodhi incidenti morën pjesë vetë Presidenti Trump, bashkëshortja e tij Melania, si dhe shumë zyrtarë të lartë të administratës amerikane. /Panorama