Avdullah Hoti: Afati po përfundon, ose zgjedhim Presidentin, ose mandatin qytetarëve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se ditët në vijim do të jenë vendimtare për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Ai theksoi se deputetët do t’i rikthehen Kuvendit për të përfunduar këtë detyrë kushtetuese.

Nëse zgjedhja e Presidentit nuk arrihet, Hoti paralajmëroi se mandati do t’u kthehet sërish qytetarëve, duke nënkuptuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në një postim në Facebook, bërë nga Prizreni, Hoti shkroi: “E diel e këndshme në Prizren. Nesër i kthehemi Kuvendit në dy ditët finale për t’i dhënë vendit Presidentin e ri ose për ta kthyer mandatin sërish te qytetarët.”

Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit/es nga Kuvendi i Kosovës është deri më 28 prill. Në rast dështimi, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.