Rama: Projektligji për Vlerat e UÇK-së dorëzohet menjëherë nëse nuk shpërndahet Kuvendi
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka deklaruar se projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dorëzohet pa vonesë në Kuvend, nëse ky i fundit nuk shpërndahet.
Rama ka theksuar se, së bashku me 40 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë për nisjen dhe miratimin e këtij ligji. Ai bëri të ditur se drafti i plotësuar me gjithë dokumentacionin përkatës tashmë është përgatitur.
Këto deklarata, deputeti Rama i bëri nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook. Ai shtoi se dorëzimi zyrtar i kërkesës për procedim ende nuk është realizuar për shkak të paqartësive rreth mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit.
“Jemi në pritje të zhvillimeve të mëtejshme për të vepruar në përputhje me situatën institucionale,” ka shkruar Rama. “Nëse Kuvendi nuk shpërndahet, projektligji do të procedohet pa vonesë, pasi jemi të bindur se lufta jonë për liri dhe vlerat që ajo përfaqëson meritojnë të mbrohen dhe të institucionalizohen nëpërmjet ligjit.”
Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë deputetët që kanë mbështetur këtë nismë të rëndësishme legjislative.
