Nagavci nuk garanton mbështetjen për Vjosa Osmanin Presidente: Kërkon debat në Kuvend
Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, deklaroi se “nuk kemi parë asgjë konkrete” lidhur me ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të propozuar Vjosa Osmanin për Presidente. Kjo ofertë e LDK-së ishte bërë në rast se partia në pushtet, Vetëvendosja, do të garantonte 66 votat e shumicës për zgjedhjen e saj.
Nagavci theksoi se nuk kishin marrë ende nënshkrimet e deputetëve të LDK-së. Megjithatë, ajo nuk u shpreh qartë nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta garantonte mbështetjen për kandidaturën e Osmanit.
“Përtej deklaratave dhe deklarimeve se i kemi 15 nënshkrime, ato nënshkrime duhet të shihen. Nuk mjaftojnë deklaratat,” u shpreh Nagavci.
Ajo kërkoi që debati mbi çështjen e Presidentit të zhvillohet në Kuvend.
“Pres që edhe partitë tjera t’i kthehen Kuvendit dhe debatin ta bëjmë në sallën e Kuvendit, në seancën që e kemi ftuar,” shtoi ajo.
