Ehat Miftaraj ironizon me deputetin Bardiqi: Kërkoni largimin e kamerave nga Kuvendi për “karate” me fatin e Republikës
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka ironizuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, duke i sugjeruar të inicojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për largimin e të gjitha kamerave nga Kuvendi. Kjo, sipas Miftarajt, do t’i mundësonte Bardiqit “të luajë karate” me fatin e Republikës.
Kjo kërkesë ironike e Miftarajt vjen pas publikimit, mbrëmë, të një fotografie ku deputeti Bardiqi shihej duke shkëmbyer mesazhe gjatë seancës së zgjedhjes së presidentit. Në mesazhin e tij, deputeti kishte shkruar: “Po e zgjedhim ‘karate’, pastaj të shohim çka thotë Kushtetuesja”.
Postimi i plotë i Miftarajt në rrjetet sociale ishte:
“Deputet Bardiqi, puna juaj nuk ka kuptim nëse sot nuk inicioni një çështje në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë që të largohen të gjitha kamerat nga Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që ju të keni mundësi të luani ‘karate’ me fatin e Republikës dhe, në të njëjtën kohë, të ruhet pavarësia.
P.S. Kjo këshillë e imja për deputetin “Bruce Lee” që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese është pjesë e lojës ‘karate’ me të.”
