**Ymeri: Seanca e mbrëmshme parlamentare, ofendim për sportin e karatesë; Koha e Xhaxhit ka përfunduar**
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, e ka cilësuar si ofendim ndaj sportit luftarak të karatesë, seancën e mbajtur mbrëmë në Kuvend lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri theksoi se mbrëmja e kaluar shërbeu si një test për mundësinë e vendosjes së, siç shprehet ajo, “Republikës së Kurtit”, e cila, nëse lejohet, do të instalojë një sistem paralel partiak për Gjyqësorin dhe çdo aspekt tjetër që nuk është prekur ende nga “kopja e zbehtë e Xhaxhit”.
“Mbrëmë nuk ishte karate; është një ofendim për sportin, pasi kjo fushë u shndërrua në një arenë ku u gëlltitën premtime dhe fonde pa punë konkrete. Karateja ka rregullat e veta. Jeni në Republikën e Kosovës dhe koha e Xhaxhit është varrosur”, ka shkruar deputetja.
Këto komente vijnë pasi mbrëmë, gjatë seancës së jashtëzakonshme parlamentare lidhur me çështjen e presidentit, u publikua nga Ekonomia Online një fotografi. Në këtë fotografi shfaqej një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje duke dërguar një mesazh me përmbajtjen: “po e zgjedhim sot karate”.
