LVV vazhdon seancën për Presidentin pa opozitën; Haxhiu përsërit ‘detyrimin’ e tyre për pjesëmarrje
Vazhdimi i seancës për zgjedhjen e Presidentit ka nisur me fjalën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila i ka bërë thirrje sërish deputetëve të opozitës të marrin pjesë.
Ajo ka theksuar “detyrimin” e tyre kushtetues për të votuar dhe mundësuar zgjedhjen e kreut të shtetit.
Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), janë mbledhur sërish sot paradite në Kuvend për raundin e dytë të votimit për President, megjithëse në sallë nuk ishin të pranishëm 80 deputetë. Kjo procedurë, e cila nisi mbrëmë, është konsideruar si cenim i rendit kushtetues nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare.
Haxhiu e shtyu vazhdimin e seancës për në orën 14:00, duke ripërsëritur thirrjen drejtuar opozitës që të marrin pjesë, pasi, sipas saj, ata janë të detyruar të votojnë dhe të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.
